Maqedonasit të mësojnë shqipen, ose do të divorcohemi (VIDEO)

Ngjyrat kuq e zi edhe njëherë mbuluan qytetin e Krujës. Njësoj sikurse në kohën e Skënderbeut dhe Ismaj Qemajlit, edhe të martën në qytetin historik gjithçka ishte në shenjë të ngjyrave kombëtare të shqiptarëve. Dhjetëra mijëra qytetarë kishin ardhur nga të gjitha viset shqiptare për të marrë pjesë në manifestimin e organizuar nga Aleanca Kuq e Zi me rastin e 544 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Pikërisht në këtë datë dhe në këtë manifestim gazeta LAJM edhe zyrtarisht ndau Çmimin “Personalitet i vitit i shqiptarëve të Maqedonisë” për kryetarin e AK-së, Kreshnik Spahiu. Çmimin e ndau drejtori i gazetës LAJM, Fejzi Hajdari.

“Duke falënderuar Aleancën Kuq e Zi dhe kryetarin e saj Kreshnik Spahiu, kuq e zi sot është Vlora e Kruja, është Prizreni e Gjakova, është Tetova Manastiri e Kumanova. Kuq e zi është Tirana, është Prishtina dhe si asnjëherë më parë kuq e zi është edhe kryeqendra historike e Dardanisë – Shkupi. Ne shqiptarët  e Maqedonisë nuk guxojmë ta anashkalojmë këtë kontribut, prandaj gazeta LAJM ka vendosur ta shpallë zotin Spahiu si ‘Personalitet i shqiptarëve të Maqedonisë” për vitin 2011, për kontributin e jashtëzakonshëm për afirmimin e çështjes shqiptare jo vetëm në Ballkan por edhe në diasporë”, tha me këtë rast, Hajdari.

“Sot nuk është i nderuar vetëm zoti Spahiu që pranon këtë dekoratë. Jemi të nderuar edhe ne zi gazetë por edhe shqiptarët e Maqedonisë që pikërisht në këtë manifestim na u mundësua të ndajmë zyrtarisht këtë dekoratë për kryetarin e AK-së, Kreshnik Spahiu”, shtoi ai më tej.

Kruja të martën ishte qyteti prej ku u dërguan mesazhe serioze në adresë të autoriteteve të Maqedonisë. Çështja e shqiptarëve të Maqedonisë ishte në fokusin e fjalimit të kryetarit të AK-së, Spahiu. Ai tha se në rast se nuk ndryshon politika aktuale e Shkupit ndaj shqiptarëve, shqiptarët do të kërkojnë ndarjen e këtij shteti.

“Maqedonasit ose do të mësojnë shqipen, ose do të kërkojmë divorcin”, theksoi në fjalimin e tij Spahiu, fjalim i cili u përcoll me brohoritje të shumta.

1 Star2 Stars3 Stars4 Stars5 Stars (2 votes, average: 5.00 out of 5)
Loading ... Loading ...

Leave a Reply